Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka zhvilluar një vizitë historike në Shtabin e Forcave të Bashkuara të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ku në fokus të diskutimeve ishte edhe partneriteti i Iowa-s me Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Rutte, i shoqëruar nga Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew G. Whitaker, u takua me drejtues të lartë të Gardës Kombëtare të Iowa-s, me të cilët diskutoi bashkëpunimin afatgjatë me Kosovën, kapacitetet e FSK-së, ndërveprueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.

Vizita shënon herën e parë që një Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s viziton Gardën Kombëtare të Iowa-s.

Iowa dhe Kosova kanë një partneritet prej më shumë se një dekade përmes Programit të Partneritetit Shtetëror. Gjatë kësaj periudhe, ushtarët dhe pjesëtarët e Forcave Ajrore të Iowa-s kanë zhvilluar trajnime dhe aktivitete të përbashkëta me pjesëtarë të FSK-së, duke forcuar bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë mes dy forcave.

Pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowa-s kanë kontribuar gjithashtu në ushtrime dhe misione të NATO-s, përfshirë misionin e KFOR-it në Kosovë.
Vizita e Rutte në Iowa u zhvillua si një mundësi për të prezantuar para drejtuesve të NATO-s zhvillimin e partneritetit mes Iowa-s dhe Kosovës dhe rolin që ky bashkëpunim ka në forcimin e sigurisë rajonale.
Partneriteti mes Iowa-s dhe Kosovës vazhdon të zhvillohet, ndërsa FSK-ja mbetet një prej pikave kryesore të bashkëpunimit në kuadër të këtij partneriteti.
🇺🇸🤝🇽🇰






Recent Comments