Sunday, October 11, 2026
spot_img
HomeRajonMark Rutte: NATO qëndroi përkrah SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit, aleatët...

Mark Rutte: NATO qëndroi përkrah SHBA-së pas sulmeve të 11 shtatorit, aleatët mbeten të bashkuar përballë kërcënimeve

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar solidaritetin e Aleancës me SHBA-në dhe rëndësinë e bashkëpunimit përballë kërcënimeve të sigurisë.


Në fjalimin e tij në Muzeun Përkujtimor të 11 Shtatorit në New York, Rutte rikujtoi momentet e sulmeve terroriste, të cilat, sipas tij, ndryshuan përgjithmonë jetën e miliona njerëzve dhe ndikuan në rendin botëror.
Ai tha se i kujtonte pamjet e sulmeve sikur të kishin ndodhur dje, kur ishte duke punuar në kompaninë Unilever në Holandë, duke përmendur aeroplanët që goditën Kullat Binjake dhe Pentagonin, si dhe aeroplanin që u rrëzua në një fushë në Pensilvani.


Rutte tregoi se dy javë pas sulmeve kishte udhëtuar në New York për një vizitë pune, ku kishte parë flamuj amerikanë gjithandej, automjete që pastronin rrënojat dhe njerëz që shprehnin solidaritet me njëri-tjetrin.
“E pashë më të mirën e njerëzimit. Ishte thellësisht prekëse”, tha Rutte, duke kujtuar atmosferën e solidaritetit që kishte përjetuar në qytet.

Advertisement

Shefi i NATO-së Mark Rutte: Për herë të parë dhe të vetme, NATO aktivizoi Nenin 5


Duke folur për reagimin e Aleancës pas sulmeve, Rutte theksoi se NATO kishte qëndruar përkrah SHBA-së dhe se, për herë të parë në historinë e saj, kishte aktivizuar Nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve.


“Më 11 shtator, Amerika nuk ishte e vetme. Aleatët tuaj në NATO qëndruan përkrah jush. Për herë të parë dhe të vetme në historinë e NATO-s, ne aktivizuam Nenin 5 të traktatit tonë themelues, premtimin solemn për të mbrojtur njëri-tjetrin, se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve”, deklaroi ai.


Sekretari i NATO-së Mark Rutte përmendi gjithashtu angazhimin e NATO-s në muajt pas sulmeve, përfshirë patrullimin e hapësirës ajrore amerikane, vendosjen e forcave në Mesdhe dhe pjesëmarrjen e trupave të vendeve aleate dhe partnere në Afganistan, përkrah forcave amerikane.
Ai bëri të ditur se një në çdo tre pjesëtarë të forcave që humbën jetën në Afganistan ishte nga një vend aleat ose partner i SHBA-së.


Rutte përmend kërcënimet nga Rusia, Irani, Kina dhe Koreja e Veriut


Në fjalimin e tij, shefi i NATO-s u ndal edhe te sfidat aktuale të sigurisë, duke theksuar se mjedisi i sigurisë ka ndryshuar që nga viti 2001, por kërcënimet vazhdojnë të jenë reale.


Ai përmendi sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe sulmet kibernetike, sabotimet, zjarrvëniet dhe shkeljet e hapësirës ajrore që, sipas tij, po synojnë edhe vendet anëtare të NATO-s.
“Ne gjithashtu përballemi me një Iran të rrezikshëm, një Kinë gjithnjë e më këmbëngulëse dhe një Korenë e Veriut bërthamore”, tha Rutte.


Ai theksoi se NATO po i forcon kapacitetet e saj mbrojtëse për t’u përgatitur ndaj këtyre sfidave, duke nënvizuar rëndësinë e parimit “Paqe përmes forcës”.
Aleatët evropianë po rrisin investimet në mbrojtje
Rutte deklaroi se SHBA-ja mbetet fuqia më e madhe në botë, por nuk duhet të përballet e vetme me përgjegjësitë e sigurisë ndërkombëtare.


Sipas tij, aleatët e NATO-s po marrin më shumë përgjegjësi, ndërsa Evropa dhe Kanadaja po rrisin investimet në mbrojtje, po zgjerojnë forcat e armatosura, po shtojnë prodhimin ushtarak dhe po përshpejtojnë inovacionin.


Ai theksoi se mbështetja për Ukrainën është gjithashtu thelbësore, pasi siguria e saj është e lidhur ngushtë me sigurinë e vendeve të NATO-s.


“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë tonë. Kjo ishte e vërtetë para 25 vjetësh. Është e vërtetë edhe sot. Ne mbetemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mbrojtur lirinë, për t’u mbrojtur nga agresioni dhe për të siguruar që një sulm si ai i 11 shtatorit të mos ndodhë kurrë më”, përfundoi Rutte.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments