Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Zyrën e Kryeministrit.
Gërvalla ka thënë se nuk ka alternativë tjetër dhe se Qeveria synon ta jetësojë Byronë Shtetërore.
“Ligjin për Byronë e nisëm për në Zyrën e Kryeministrit. Nuk ka rrugë tjetër. Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet dhe do ta jetësojmë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese më 26 qershor 2024, pas kërkesës së PDK-së për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij.
Gjykata kishte konstatuar shkelje kushtetuese në disa dispozita të ligjit, duke vlerësuar se çështjet e ngritura lidheshin, ndër të tjera, me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, zbatimin retroaktiv të ligjit dhe kompetencat mbikëqyrëse të Kuvendit ndaj agjencive të pavarura.
Me pesë vota për dhe katër kundër, Kushtetuesja kishte vendosur që Ligji nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të shpallej i pavlefshëm në tërësinë e tij.





Recent Comments