Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe pesë projektligjet e Pakos së Reformës në Drejtësi.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se gjashtë projektligjet përbëjnë bazën e reformës së thellë të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Sipas Gërvallës, projektligjet adresojnë çështje që lidhen me luftimin e pasurisë së pajustifikueshme, integritetin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, fuqizimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, si dhe forcimin e Akademisë së Drejtësisë.
“Pas një pune kolosale, të përbashkët dhe të pandalshme të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pas miratimit nga Qeveria dhe tash edhe nga Komisioni për Legjislacion, 6 projektligjet janë vetëm një hap larg Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Gërvalla.
Pesë projektligjet e paketës së reformës përfshijnë rregullimin e rekrutimit, vlerësimit të performancës, kontrollit të integritetit dhe statusit të gjyqtarëve e prokurorëve, përgjegjësinë disiplinore të tyre, si dhe ndryshimet në ligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Akademinë e Drejtësisë.
Ndërkaq, Projektligji për Byronë Shtetërore synon krijimin e një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Procesi i hartimit të tij ka kaluar nëpër disa faza, përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias, shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese dhe konsultimet publike.
Ministrja Gërvalla ka shprehur bindjen se edhe Kuvendi i Kosovës do t’i mbështesë këto projektligje.
“Reforma në drejtësi duhet dhe do të bëhet realitet”, ka përfunduar ajo.





Recent Comments