Prishtinë, 2 tetor 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të zhvillojnë sot pasdite një takim të ri, mëson ekskluzivisht Radar Report nga burime të afërta me zhvillimet politike.
Sipas burimeve të Radar Report, në takimin e sotëm pritet të diskutohen dy çështje kryesore: zgjedhja e Presidentit/es së Kosovës dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm politik, pasi 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit/es, ndërsa PDK ka kërkuar ndryshime në ligjin që rregullon Dhomat e Specializuara.
Vetë Hamza ka deklaruar më herët se PDK është e hapur për diskutime rreth presidentit nëse procedohet projektligji për Dhomat e Specializuara.
Po ashtu, Hamza kishte konfirmuar më 1 tetor se do të takohej me Kurtin në ditët në vijim, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim në çështje që i konsideron me rëndësi për shtetin, përfshirë Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kurti dhe Hamza kanë zhvilluar edhe më herët takime për këto tema. Në takimin e 17 shtatorit, ata diskutuan për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara dhe u zotuan për komunikim të rregullt e të drejtpërdrejtë për çështjet me interes shtetëror.
Radar Report do të përcjellë zhvillimet e takimit dhe çdo dakordim eventual mes Kurtit dhe Hamzës.





Recent Comments