Friday, October 9, 2026
spot_img
HomeRajonShekerinska viziton Moldavinë, vlerëson kontributin e saj në KFOR dhe sigurinë euroatlantike

Shekerinska viziton Moldavinë, vlerëson kontributin e saj në KFOR dhe sigurinë euroatlantike

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka zhvilluar më 8 dhe 9 tetor një vizitë zyrtare në Republikën e Moldavisë, ku është takuar me presidenten Maia Sandu, ministrin e Punëve të Jashtme, Mihai Popșoi, ministrin e Mbrojtjes, Anatolie Nosatîi, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Sipas njoftimit të NATO-s, takimet u përqendruan në partneritetin afatgjatë ndërmjet Aleancës dhe Moldavisë, forcimin e institucioneve të mbrojtjes dhe zhvillimet aktuale të sigurisë.

“NATO dhe Moldavia kanë pasur një partneritet të frytshëm për më shumë se 30 vjet”, deklaroi Shekerinska, duke theksuar se bashkëpunimi bazohet në dialogun politik dhe në mbështetjen praktike për forcimin e qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve mbrojtëse të Moldavisë.

Advertisement

Ajo bëri të ditur se Moldavisë i janë ndarë rreth 50 milionë euro përmes paketës së NATO-s për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Mbështetja përfshin mbi 12 milionë euro për jelekë mbrojtës dhe helmeta moderne, mbi 7 milionë euro për ruajtjen e sigurt të municioneve dhe më shumë se 4 milionë euro për pajisje e programe të teknologjisë së informacionit, me synim mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

NATO ka ndihmuar gjithashtu në zhvillimin e një qendre për mbrojtje kibernetike në Universitetin Teknik të Moldavisë dhe krijimin e një ekipi për reagim ndaj incidenteve kibernetike brenda Forcave të Armatosura të këtij vendi.

Shekerinska vlerëson kontributin e Moldavisë në misionin e KFOR-it

Gjatë vizitës, zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s vlerësoi kontributin e Moldavisë në sigurinë euroatlantike, përfshirë ndarjen e përvojave në përballjen me kërcënimet hibride dhe angazhimin e personelit ushtarak në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Duke folur në Forumin e Sigurisë së Moldavisë 2026, Shekerinska vlerësoi qëndrueshmërinë e vendit përballë presionit dhe ndërhyrjeve nga Rusia.

“Për vite me radhë, Moldavia u ka rezistuar ndërhyrjeve dhe frikësimit nga Rusia, me zgjuarsi dhe vendosmëri. Kjo është ajo që nënkupton qëndrueshmëria”, theksoi ajo.

Vizita synon të forcojë më tej bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe Moldavisë në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments