Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas në fjalimin e tij të lamtumirës, ka theksuar se siguria afatgjatë në Kosovë duhet të ndërtohet përmes zgjidhjeve politike dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ai ka konfirmuar se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm në Kosovë dhe i gatshëm të ndërhyjë në rast të rrezikimit të situatës së sigurisë.
Në fjalimin e lamtumirës, komandanti i KFOR-it Ulutas ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është dukshëm më e mirë krahasuar me vitin 1999, ndërsa ka theksuar zhvillimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës dhe të organizatave të tjera të sigurisë.
Ai ka bërë të qartë se, pavarësisht përmirësimit të situatës, KFOR-i do të vazhdojë ta ruajë rolin e tij si reaguesi i tretë i sigurisë, duke mbetur i pranishëm në të gjithë territorin e Kosovës dhe i gatshëm të veprojë nëse rrezikohet stabiliteti.
“Megjithatë, rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake. Ajo është politike”, ka deklaruar komandanti i KFOR-it Ulutas.
Ai ka theksuar se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet mekanizmi përmes të cilit duhet të trajtohen çështjet e pazgjidhura.
“Ky është mekanizmi përmes të cilit duhet të trajtohen çështjet e pazgjidhura dhe të kërkohen zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, ka thënë ai.
Në fjalimin e tij, komandanti ka rikujtuar se NATO-ja ka njoftuar për përshtatjen graduale të pranisë dhe pozicionimit të KFOR-it, në përgjigje të përmirësimit të situatës së sigurisë. Sipas tij, ky proces po zhvillohet gradualisht, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si dhe në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Komandanti ka falënderuar institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, organizatat e sigurisë, EULEX-in, Bashkimin Evropian, UNMIK-un, OSBE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për bashkëpunimin me KFOR-in.
Ai ka falënderuar gjithashtu shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për komunikimin dhe bashkëpunimin profesional e konstruktiv.
Në përfundim, ai ka theksuar se misioni i KFOR-it do të vazhdojë nën udhëheqjen e re të gjeneralmajorit italian Roberto Vergori, i cili ka shërbyer edhe më parë në Kosovë.
KFOR-i është i vendosur të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.





Recent Comments