Sunday, October 11, 2026
spot_img
HomeRajonKryeterrorist Radoiçiq shfaqet pranë djalit të Vuçiqit në tubimin e SNS-së në...

Kryeterrorist Radoiçiq shfaqet pranë djalit të Vuçiqit në tubimin e SNS-së në Serbi

Kryeterrorist serb Milan Radoiçiq, i kërkuar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, është parë në shoqërinë e Danilo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuçiqit, gjatë një tubimi parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Milan Radoiçiq është shfaqur në një tubim të Partisë Progresive Serbe (SNS) në Serbi, ku është parë pranë Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Pamjet nga tubimi, të mbajtur në Kragujevc, janë publikuar nga mediumi serb N1, i cili raportoi se Radoiçiq ndodhej përpara sallës “Jezero”, në shoqërinë e Danilo Vuçiqit. SNS-ja po zhvillon fushatë për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Advertisement

Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndonëse është i lidhur me sulmin terrorist të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që mori pjesë në sulm, ndërsa autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar ngjarjen si sulm terrorist. Ai përballet me akuza të lidhura me këtë rast dhe është në kërkim ndërkombëtar.

Raportimet e mëhershme kanë bërë të ditur se autoritetet serbe e kanë mbajtur atë të lirë, nën masa kufizuese, përfshirë ndalimin e largimit nga Serbia dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në polici.

Shfaqja e tij në një tubim të partisë në pushtet, pranë djalit të Vuçiqit, rikthen në vëmendje çështjen e përgjegjësisë për sulmin në Banjskë dhe mungesën e një procesi gjyqësor të përfunduar ndaj tij në Serbi.

Radar Report

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments