Policia e Kosovës ka realizuar operacionin e koduar “Errësira”, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar. Në veturën e tyre janë gjetur edhe 22 mijë e 300 lekë të reja.
Dy shtetas të Shqipërisë janë arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin për trafikim të narkotikëve, pasi Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth katër kilogramë marihuanë, me vlerë të tregut prej rreth 10 mijë eurosh.
Operacioni policor i koduar “Errësira” është zhvilluar më 25 shtator, rreth orës 21:00, në rrugën “Nëna Terezë”, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Gjatë kontrollit të veturës me targa të Shqipërisë, në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar rreth katër kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Përveç narkotikëve, si prova materiale janë sekuestruar edhe vetura e përdorur nga të dyshuarit dhe 22 mijë e 300 lekë të reja.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal.
Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit dhe provat e sekuestruara janë proceduar për veprime të mëtejshme hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.





Recent Comments