Monday, October 12, 2026
spot_img
HomePolitikëKurti bashkon partitë shqiptare për zgjedhjet në Serbi, kërkon së paku pesë...

Kurti bashkon partitë shqiptare për zgjedhjet në Serbi, kërkon së paku pesë ulëse në Kuvendin e Serbisë


Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për një listë të përbashkët, me të cilën do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Marrëveshja u arrit sot në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, pas bisedimeve për afrimin e qëndrimeve mes partive.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse janë pajtuar për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, duke falënderuar kryetarët e partive për gatishmërinë për bashkëpunim dhe për tejkalimin e dallimeve politike.


Kurti ka falënderuar Shaip Kamberin nga PVD-ja, Visar Memetin nga APN-ja, Nagip Arifin nga PD-ja, Agim Sabedinin nga PDSH-ja, Shqiprim Musliun nga LPD-ja, Sami Salihun nga LR-ja, Armend Aliun nga AL-ja dhe Naser Azirin nga UDSH-ja, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes.

Advertisement


Ai ka shprehur mirënjohje edhe për kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, përfaqësuesit nga Medvegja, Bajram Mustafën dhe Arben Feratin, si dhe përfaqësuesen nga Pazari i Ri, Amina Nurën.

Kurti: Shqiptarët në Luginë duhet të kenë së paku pesë ulëse të garantuara


Në deklarimin e tij, Kryeministrit Kurti ka theksuar se bashkimi politik në kuadër të koalicionit nuk është i mjaftueshëm, duke ngritur edhe çështjen e përfaqësimit të garantuar të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.


Ai ka krahasuar përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, ku janë të garantuara 10 nga 120 ulëset, me numrin e ulëseve që, sipas tij, do të duhej t’u garantoheshin shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Parlamentin e Serbisë, i cili ka 250 ulëse.


“Me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se përfaqësimi i garantuar duhet të jetë parim që vlen në të dyja vendet, me respekt të barabartë për të drejtat e komuniteteve.


Kërkesat për të drejtat dhe zhvillimin ekonomik
I pari i Qeverisë ka përmendur edhe çështjet që, sipas tij, përbëjnë themelet e angazhimit politik për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndër to ka renditur mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimin e drejtë në institucionet publike dhe zhvillimin ekonomik.
Ai ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës, kulturës, simboleve dhe kujtesës kombëtare, duke i cilësuar këto si pjesë të identitetit dhe përgjegjësisë ndaj brezave të ardhshëm.


Sipas Kurtit, synimi është që shqiptarët e Luginës të kenë mundësi të punojnë, të krijojnë familje dhe të ndërtojnë një jetë me dinjitet në vendlindjen e tyre.
Kryeministri ka vlerësuar se, pavarësisht vështirësive dhe ndasive që e kanë shoqëruar këtë proces, përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë të dobishme për qytetarët. Ai ka nënvizuar se përfaqësimi i denjë kërkon këmbëngulje përballë padrejtësive, maturi në vendimmarrje dhe përkushtim ndaj nevojave të qytetarëve.


Në përfundim, Kryeministri Albin Kurti ka ritheksuar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në angazhimin për të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre.


“Angazhimi ynë mbetet i vazhdueshëm për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e vet”, ka deklaruar Kurti.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments