Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë nesër Kosovën, më 1 tetor, në kuadër të turneut të saj vjetor në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen do të zhvillojë takime të ndara me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Presidencë, si dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Vizita dhe takimet janë konfirmuar nga Komisioni Evropian.
Vizita e saj në Kosovë vjen një ditë pasi ajo nisi turneun rajonal në Tiranë, ndërsa pas Prishtinës do të vazhdojë në Podgoricë dhe më 2 tetor do ta përmbyllë vizitën në Shkup.
Në fokus të takimeve të von der Leyen me liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të jenë rruga evropiane e vendeve të rajonit, hapat e mëtejshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimi i Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Një veçori e këtij turneu është se Serbia dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë pjesë e agjendës së kësaj vizite. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se von der Leyen synon t’i vizitojë këto dy vende në një datë të mëvonshme, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme atje. Për Serbinë, aktualisht nuk është konfirmuar një datë e re për vizitën.
Vizita e von der Leyen në Kosovë zhvillohet në kuadër të turneut të saj të gjashtë vjetor në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ajo pritet të vizitojë edhe projekte të financuara nga BE-ja, përfshirë objektin e ri të Fakultetit të Shkencave Matematike dhe Natyrore në Prishtinë.





Recent Comments