Prishtinë, 5 tetor 2026 – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë protestës së zhvilluar pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë, disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Sipas Policisë, për shkak të situatës së krijuar dhe rasteve të dhunës, zyrtarët policorë kanë përdorur pajisjet e nevojshme policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit, me qëllim të shpërndarjes së turmës dhe parandalimit të përshkallëzimit.
Si pasojë e përleshjeve dhe hedhjes së mjeteve në drejtim të institucioneve dhe policëve, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa 11 qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se tre protestues janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa veprimet e mëtejshme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Për shkak të sigurisë së qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, gjatë mbrëmjes janë ndërprerë përkohësisht qarkullimi i automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës.
Policia thekson se nuk ka ndërhyrë ndaj protestuesve që kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, por vetëm ndaj rasteve kur, sipas saj, është shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë.
Protesta po vazhdon edhe në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa aktualisht situata raportohet e qetë. Zyrtarët policorë do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.





Recent Comments