Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës së Kosovës dhe miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë.
Kurti ka deklaruar se me zgjedhjen e presidentes së re, Kosova tashmë ka institucione stabile.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se pas miratimit të ndryshimeve në ligj, institucionet do të punojnë për, siç është shprehur ai, suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit në Hagë.
“Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka falënderuar deputetët që morën pjesë në votim, si dhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit për presidente.
“Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës! Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve!”, ka përfunduar Kurti.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente me 81 vota, ndërsa në të njëjtën seancë Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.





Recent Comments