Kai Havertz ka dërguar një paralajmërim të fortë për rivalët e Arsenalit, duke deklaruar se kampionët në fuqi të Premierligës janë të vendosur të “fitojnë gjithçka” këtë sezon.
Pas triumfit historik në kampionatin anglez, reprezentuesi i Gjermanisë beson se skuadra e Mikel Artetës ka thellësinë dhe cilësinë e nevojshme për të luftuar për çdo trofe të mundshëm.
Sulmuesi i Arsenalit e ka bërë të qartë se gjigantët nga veriu i Londrës nuk janë të kënaqur vetëm me një trofe. Pasi i dhanë fund pritjes 22-vjeçare për titullin e Premierligës sezonin e kaluar, Topçinjtë e kanë nisur sezonin e ri në mënyrë fantastike, duke mposhtur Manchester Cityn për të fituar Community Shield, përpara se ta nisnin kampionatin me një fitore 3-0 ndaj Coventry Cityt.
Duke folur për ambiciet e klubit këtë sezon, Havertz theksoi vetëbesimin që mbizotëron në “Emirates”.
“Kur e shijon fitoren e një titulli, atëherë dëshiron ta bësh sërish, dhe ne kemi një skuadër që mund të garojë për çdo titull të mundshëm. Vitin e kaluar ishte vetëm një, por këtë vit ka shumë më tepër për të fituar dhe ne duam t’i fitojmë të gjitha”, tha reprezentuesi i Gjermanisë në një intervistë për “Sky Sports”.
Edhe pse titulli i Premierligës ishte objektivi kryesor sezonin e kaluar, Arsenali ishte shumë pranë edhe lavdisë evropiane. Skuadra e Artetës ishte vetëm një seri penalltish larg fitimit të trofeut të parë të Championsit në historinë e klubit, por përfundimisht u mposht nga Paris Saint-Germain në një finale dramatike në Budapest.
“Ka ende një rrugë të gjatë përpara dhe për momentin fokusi është vetëm te ndeshja e radhës. Kemi bërë disa hapa të mirë, duke fituar Community Shield dhe ndeshjen e parë të sezonit. Por tani fillon gjithçka. Do të kemi Championsin, Carabao Cup dhe FA Cup, me ndeshje çdo tri ditë, dhe atëherë do të tregojmë se për çfarë jemi të aftë.
“Jemi pozitivë dhe duam të japim gjithçka këtë sezon për t’i arritur sërish objektivat tona dhe për t’i sjellë klubit edhe më shumë tituj”, shpjegoi Havertz.
Havertz nuk ka humbur kohë për të lënë gjurmën e tij këtë sezon, duke shënuar si në fitoren ndaj Manchester Cityt në Community Shield, ashtu edhe në ndeshjen hapëse të kampionatit.
Aftësia e tij për të udhëhequr sulmin është bërë thelbësore për Artetën, veçanërisht përpara sfidës së vështirë në Villa Park kundër Aston Villas të hënën mbrëma.
Havertz iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2023, në një transferim prej 65 milionë funtesh nga rivali londinez, Chelsea.
Që nga kalimi në veri të Londrës, reprezentuesi gjerman është shndërruar në një figurë kyçe nën drejtimin e Artetës, duke regjistruar 113 paraqitje në të gjitha garat, me 38 gola dhe 18 asistime.





Recent Comments