Donart Humolli, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se studentët e Kosovës nuk pranojnë, siç u shpreh, “asnjë gjykim të padrejtë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Humolli i bëri këto deklarata gjatë marshit protestues të studentëve, i cili ka nisur nga Qendra e Studentëve në Prishtinë dhe ka vazhduar drejt sheshit “Skënderbeu”.
“Rinia e Kosovës sot jeton e lirë në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik, duke respektuar e mbrojtur të gjitha minoritetet në Kosovë.
Një popull që ka qenë i shtypur për vite me radhë, e di mirë se çfarë do të thotë ta përjetosh padrejtësinë. Prandaj nuk ia dëshirojmë atë askujt!
Prandaj nuk pranojmë asnjë gjykim të padrejtë apo dënues ndaj atyre që na mundësuan këtë liri”, tha Humolli.
Studentët, anëtarë të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë nisur marshin në shenjë proteste ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në protestën e studentëve është bashkuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai falënderoi studentët për protestën e sotme, të cilët dolën në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila bashkë me popullin ishte përgjigje ndaj spastrimit etnik, ndaj shtypjes që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Rama shtoi se sheshet e kryeqytetit janë gjithnjë të hapura për ata që dalin në mbrojtje të vlerave kombëtare.

