Dhjetëra biznese familjare dhe ato tradicionale kanë prezantuar prodhimet e tyre në Edicionin e Pestë të Panairit në komunën e Dragashit. Nevoja për mbështetje nga institucionet qendrore dhe lokale, është e domosdoshme për të ruajtur kulturën e kësaj komune të largët malore.
Një pjesë e traditës së komunës së Dragashit në zonat urbane e rurale, është prezantuar në Edicionin e Pestë të Panairit tradicional, që u organizua nga shoqata Ekspo Sharri në komunën e Dragashit. Në këtë komunë, nuk mund të ketë prezantim të ushqimit apo traditës pa djathin e Sharrit.
“E kam bërë objektin komplet me mjete vetanake, por nuk kam marrë grand me fut pajisje të reja, makineri të reja, me rrit vendin e punës dhe me marr më shumë punëtor, presim që në 2027 mos po hapen grandet prej ministrisë së bujqësisë me aplikua, pasi kemi dal e vetmja qumështore në Kosovë bio, pa vaj palme”, tha Laurant Spahiu për RTK, përpunues i qumështit.
Ushqimet e kësaj zone, si gruri i zier, petullat në tigan, patatet e Pllajnikut janë përgatitur pranë mysafirëve të këtij organizimi.
“Pa qeshkek nuk ka dasmë, ky bëhet vetëm për gazmende, jo për vdekje, vetëm për dasma e marhama”, tha Ferdi Isufi nga Dragashi.
” Një kohë hupën krejt, tash kanë dal prapë, le të bëjnë kush të mundet, është traditë e mirë, nuk është e keqe”, tha Refkije Bojaxhiu nga Pllavë
Ky panair, sipas pjesëmarrësve, ka qenë njëri ndër më të pasurit, pasi me shumë punë, janë arritur shumë rezultate, ku domatja e vogël dhe mjedra që as nuk mendohej se mund të rritej në lartësi të mëdha mbidetare, është kultivuar edhe në fshatin më të lartë Pllajnik.
“Mjedra ka punë, por ka edhe pare, çmimi ka qenë i mirë, unë kam mendua se në këtë vit do të dal me 5 mijë kilogramë”, tha Misin Domuzeti nga Pllajniku .
Përfaqësuesit e institucioneve, që e panë nga afër punën dhe kulturën e banorëve të kësaj komune, thonë se do të mbështesin dhe do ta ruajnë brendin lokal.
“Produktet tona nuk janë vetëm mallra që shiten e blihen, ato bartin historitë e zakonet, shijet e identitetin e Dragashit”, tha Behxhet Xheladini, kryetar i Dragashit .
“Dragashi është zonë unike, duke qenë zonë unike, në duhet ta mbrojmë emrin e Sharrit, emrin e produkteve të cilat janë të zonës suaj”, tha Jeton Bytyqi, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Tregëtisë.
Në këtë panair, nuk u anashkalua as veshja, dhe mjetet e punës që brezat kanë përdorur në të gjithë komunën e Dragashit.





Recent Comments