Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rëndësinë e Policisë së Kosovës, duke theksuar se shërbimi me integritet dhe profesionalizëm duhet të jetë prioritet i pakompromis për secilin pjesëtar të saj.
Në një deklarim të tij, Kurti ka theksuar se policët kanë përgjegjësi të shërbejnë me ndershmëri në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim, duke mbrojtur ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ai ka përmendur edhe dëshmorët e Policisë së Kosovës, Enver Zymberin dhe Afrim Bunjakun, si dhe të gjithë pjesëtarët e rënë në krye të detyrës.
Duke folur për Gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës, Kurti ka bërë të ditur se nga 397 të diplomuarit, 118 janë gra dhe 279 burra, që nënkupton se afërsisht një në tre të diplomuar është grua.
Kurti ka theksuar gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit buxheti për Policinë është rritur për më shumë se 50 për qind.
Sipas tij, në këtë periudhë janë ngritur dhe forcuar 20 stacione, objekte dhe baza policore në të gjithë veriun, ndërsa Policia është pajisur me armë të gjata, automjete dhe autoblinda të reja me vlerë prej gati 8 milionë eurosh.
Ai ka përmendur edhe gjetjen e tri varrezave masive nga lufta e fundit në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut, duke e ndërlidhur këtë me sigurinë në veri dhe angazhimin e Policisë.
Në fund, Kurti ka theksuar se, pavarësisht arritjeve, institucionet dhe shoqëria nuk duhet të vetëkënaqen, pasi mbetet ende shumë punë për t’u bërë dhe objektiva për t’u arritur.













Recent Comments