Paris, 10 nëntor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim dhe ka zhvilluar diskutim me studentë të Paris School of International Affairs (PSIA), në Paris, ku ka folur për zhvillimin e Kosovës, rrugëtimin e saj demokratik, sfidat e sigurisë dhe perspektivën euroatlantike të vendit.
Para takimit me studentët, Kurti u prit nga dekania e këtij institucioni, Arancha González Lay.
Gjatë fjalimit, kryeministri e cilësoi Kosovën si një demokraci të lulëzuar, duke theksuar se, sipas Raportit të Demokracisë 2026 të Institutit suedez V-Dem, Kosova renditet si demokracia kryesuese në Ballkanin Perëndimor.
Ai përmendi gjithashtu rritjen mesatare ekonomike mbi 4 për qind gjatë pesë viteve të fundit, si dhe të dhënat e Gallup-it, sipas të cilave Kosova është vendi më i sigurt në Evropë dhe i treti më i sigurt në botë.
Kurti foli edhe për historinë e Kosovës, duke u ndalur te represioni gjatë ish-Jugosllavisë, lufta çlirimtare dhe ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, të cilat, sipas tij, vazhdojnë të përcaktojnë parimet mbi të cilat duhet të udhëhiqet vendi.
Ai theksoi se pavarësia dhe demokracia janë dy procese të ndërlidhura, por të ndryshme, duke argumentuar se shpallja e pavarësisë është një moment historik, ndërsa ndërtimi dhe ruajtja e demokracisë është një përpjekje e vazhdueshme.
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi edhe rrezikut nga demokracitë joliberale, duke paralajmëruar se efikasiteti ekonomik dhe realizimi i projekteve infrastrukturore nuk duhet të përdoren si arsyetime për dobësimin e institucioneve, kontrolleve dhe balancave demokratike.
Në aspektin ekonomik dhe social, Kurti përmendi politikat e qeverisë së tij, përfshirë arsimin e lartë falas, mbështetjen për nënat dhe familjet, rritjen e buxheteve për shëndetësinë publike dhe subvencionet për fermerët.
Ai u ndal edhe te potenciali i të rinjve dhe diaspora, duke theksuar se shërbimet e ndërlidhura me teknologjinë përbëjnë rreth 6 për qind të Bruto Produktit Vendor të Kosovës. Sipas tij, diaspora mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, investimet dhe krijimin e ndërmarrjeve të reja teknologjike.
Duke folur për sigurinë, kryeministri theksoi se Kosova përballet me sfida që ndërlidhen me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe raportet e ngushta të Serbisë me Moskën.
Ai përmendi 48 bazat ushtarake dhe të xhandarmërisë së Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, si dhe praninë e Rusisë në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë serbe.
Kurti iu referua edhe sulmit në Banjskë të vitit 2023, duke e cilësuar atë si një inkursion që synonte aneksimin e veriut të Kosovës sipas modelit të Krimesë.
Ai tha se gjatë katër viteve të fundit Kosova ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, duke tejkaluar vazhdimisht 2 për qind të PBB-së, ndërsa theksoi se të gjitha blerjet ushtarake janë realizuar nga shtetet anëtare të NATO-s.
Në pjesën për integrimet ndërkombëtare, Kurti tha se Kosova nuk sheh alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ai identifikoi tri çështje kryesore për të ardhmen evropiane të Kosovës: qasjen e BE-së ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që Serbia të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, duke përmendur dorëzimin e Milan Radoiçiqit për t’u përballur me drejtësinë.
Në përmbyllje të fjalimit, Kurti theksoi se vlerat politike duhet të ruhen jo vetëm gjatë përpjekjeve për të fituar pushtetin, por edhe në përgjegjësinë e përditshme të ushtrimit të tij.
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti para studentëve të Paris School of International Affairs (PSIA)








Recent Comments