Saturday, October 31, 2026
spot_img
HomeSiguriLAJMI I FUNDIT: Gazmend Hoxha publikon letrën e dorëheqjes, rendit sukseset e...

LAJMI I FUNDIT: Gazmend Hoxha publikon letrën e dorëheqjes, rendit sukseset e Policisë dhe merr përgjegjësi morale për rastin e Arlinda Zekajt

Drejtori i deritanishëm i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka paraqitur një përmbledhje të punës dhe rezultateve të Policisë së Kosovës gjatë periudhës sa ishte në krye të këtij institucioni.

Hoxha ka bërë të ditur se dorëheqjen e tij e ka marrë pas një reflektimi të thellë për ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku u vra Arlinda Zekaj.

Në letër, ai thekson se, përveç përgjegjësisë institucionale, e ndien edhe përgjegjësinë morale për rastin, duke vlerësuar se llogaridhënia duhet të jetë mbi çdo pozitë zyrtare.

Advertisement

“Unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, thuhet në letrën e Hoxhës.

Ai ka theksuar se dorëheqja nuk përbën braktisje të Policisë së Kosovës, por një mesazh se institucionet duhet të jenë më të forta se individët dhe se besimi i qytetarëve duhet të mbrohet përmes përgjegjësisë së vërtetë.

Në letrën e tij, Hoxha ka përmendur edhe sfidat e sigurisë me të cilat është përballur Policia e Kosovës gjatë mandatit të tij, përfshirë zhvillimet në veri, sulmin në Zveçan më 29 maj 2023, operacionin kundër grupit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe hetimet për sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

Ai ka renditur edhe rezultatet në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit me drogë dhe armë, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.

Në pjesën e dytë të letrës, Hoxha ka publikuar edhe shifra konkrete nga disa prej operacioneve dhe hetimeve të Policisë së Kosovës:

  • Krimet e luftës: 66 kallëzime penale kundër 745 personave të dyshuar, 62 persona të arrestuar dhe 62 trupa të gjetur.
  • Luftimi i fajdesë: 79 persona të arrestuar, 40 operacione policore dhe rreth 8 milionë euro pasuri të sekuestruara.
  • Rastet WHITE STAR/SKYECC: 37 persona të arrestuar dhe pasuri të sekuestruara, konfiskuara apo ngrira në vlerë të përgjithshme prej 53.974.918 eurosh.

Hoxha ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë rritur edhe kapacitetet e inteligjencës policore, duke u gjashtëfishuar numri i raporteve inteligjente të pranuara, analizuara dhe trajtuara.

Në fund të letrës, ai ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për profesionalizmin dhe përkushtimin, si dhe ka kujtuar zyrtarët policorë që kanë rënë në kryerje të detyrës.

Gazmend Hoxha ishte në krye të Policisë së Kosovës që nga marsi i vitit 2023. Dorëheqja e tij vjen pas reagimeve dhe shqetësimeve institucionale lidhur me rastin e rëndë të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments