Dublin, 12 nëntor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Hungarisë, Péter Magyar, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Dublin të Irlandës.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë takimit Kurti ka shprehur interesimin për një intensitet të ri në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, përmes zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin dhe ekonominë.
Kurti ka theksuar gjithashtu rolin e Hungarisë në kuadër të misionit të KFOR-it, duke e cilësuar atë si një nga kontribuueset më të mëdha me trupa në këtë mision dhe si një vend me rëndësi për paqen dhe sigurinë rajonale.
“Sa më e integruar dhe më e fortë institucionalisht të jetë Republika e Kosovës, aq më stabile dhe më prosperuese do të jetë e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor”, thuhet të ketë theksuar Kurti.
Sipas njoftimit, kryeministri kosovar ka vlerësuar se Budapesti përbën një nga qendrat e rëndësishme në rrugën euro-atlantike të Kosovës.
Kurti ndodhet në Irlandë që nga 11 nëntori, ku po merr pjesë në Samitin e IX të Komunitetit Politik Evropian. Në kuadër të qëndrimit në Dublin, ai pritet të zhvillojë edhe takime të tjera me liderë shtetesh dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave ndërkombëtare.





Recent Comments