(E plotësuar) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbrojtur çmimet e energjisë elektrike gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, duke deklaruar se tarifat vazhdojnë të jenë më të lirat në rajon. Ndërkohë, deputetët e opozitës kanë kritikuar Qeverinë për menaxhimin e sektorit energjetik, importin e energjisë dhe mungesën e investimeve.
Rizvanolli kundërshtoi pretendimet e opozitës se çmimet e energjisë janë të papërballueshme, duke kërkuar që krahasimet të bazohen në të dhëna objektive.
“Tarifat të cilat i cilësoni të papërballueshme vazhdojnë të mbeten më të lirat në rajon, dukshëm më të lira. Prandaj, kur bëni cilësime të tilla, është mirë të flasim edhe në terma objektivë”, tha Rizvanolli.
Ministrja iu përgjigj edhe kritikave për projektin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova B”, duke sqaruar se ai financohet nga Bashkimi Evropian dhe se procedurat kishin nisur para ardhjes së saj në detyrë.
“Ky projekt financohet nga BE-ja, u nënshkrua në vitin 2018, ndërsa kontraktimi u bë më 2019. BE-ja gjithashtu ka kontraktuar kompaninë mbikëqyrëse, e cila është zyrtarisht e thirrur për ta mbikëqyrur cilësinë e punimeve dhe për të bërë vlerësime në rastin e atribuimit të vonesave në projekt”, deklaroi Rizvanolli.
Duke folur për prodhimin e energjisë elektrike, Rizvanolli krahasoi prodhimin e KEK-ut gjatë qeverisjeve të kaluara me atë gjatë mandatit aktual. Ajo deklaroi se në vitet kur nuk kishte investime, prodhimi kishte arritur në 5.8 teravat-orë, ndërsa theksoi se gjatë viteve 2023, 2025 dhe 2026 janë realizuar investime që, sipas saj, nuk ishin bërë më parë.

Mustafa kritikon Qeverinë për menaxhimin e KEK-ut dhe përgatitjet për dimër
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kritikoi Qeverinë për planifikimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike, duke thënë se problemet në këtë sektor lidhen me menaxhimin e dobët të kapaciteteve ekzistuese.
“Një pjesë e konsiderueshme e problemeve me të cilat po përballet sektori i energjisë në Kosovë lidhet me planifikimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve tona ekzistuese”, deklaroi Mustafa.
Ai vuri në pikëpyetje edhe përgatitjet për sezonin e dimrit, duke rikujtuar se në vitin 2021 ishte krijuar një task-forcë dhe ishte hartuar një raport me rekomandime, për zbatimin e të cilave kërkoi sqarime.
Mustafa kritikoi edhe ndalesat e paplanifikuara të njësive prodhuese të KEK-ut, duke thënë se vetëm gjatë këtij viti njësia A4 ka pasur katër ndalesa, A5 tri dhe B2 pesë ndalesa.
Sipas tij, këto ndërprerje e detyrojnë Kosovën të importojë energji me çmime më të larta, të cilat më pas ndikojnë në faturat e konsumatorëve.

Ymeri akuzon Qeverinë për varësinë nga importi i energjisë
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, akuzoi Qeverinë se kishte krijuar një skemë për ta bërë Kosovën të varur nga importi i energjisë elektrike.
Ajo përmendi emërimet në institucionet energjetike dhe lidhjet e pretenduara ndërmjet disa kompanive dhe zyrtarëve, përfshirë GEN-in, Martin Berishajn dhe ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ymeri deklaroi se për periudhën nga ora 17:00 deri në 18:00 ishte planifikuar importi i 275 megavatëve energji, me çmim mesatar prej 162 eurosh për megavat-orë.
“Pra, ishte e planifikuar, ishte një skemë që Kosova të varej nga importi, në mënyrë që sot të blejë rrymë me 46 mijë euro në orë”, tha Ymeri.
Ajo kritikoi gjithashtu menaxhimin e KEK-ut, duke përmendur punësimet, rënien e prodhimit dhe të fitimit, si dhe realizimin e pjesshëm të investimeve kapitale.

Ramadani: Mbi 1 miliard euro për importin e energjisë
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, kritikoi Qeverinë për mungesën e investimeve dhe varësinë nga importi i energjisë, duke deklaruar se nga viti 2021 deri në tetor 2026, Kosova ka shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike.
“Për pesë vjet e 10 muaj, rryma është blerë edhe shumë, edhe shtrenjtë. 1 miliard e 55 milionë është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë. Me 1 miliard pothuajse ishte ndërtuar një termocentral. Dhe pyetja është pse nuk është ndërtuar?”, tha Ramadani.
Ai kritikoi edhe ndërprerjen e projektit për ndërtimin e një termocentrali të ri, duke thënë se kjo ka rritur varësinë e vendit nga importi.
Ramadani deklaroi se vetëm një ditë më parë ishin shpenzuar 938 mijë euro për blerjen e energjisë elektrike, ndërsa kërkoi nga Qeveria të sqarojë masat për rritjen e prodhimit vendor dhe përgatitjet për dimër.

Kelmendi fajëson pushtetet e kaluara për privatizimin e shpërndarjes së energjisë
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Taulant Kelmendi, fajësoi pushtetet e kaluara për problemet në sektorin energjetik, duke theksuar se privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit me energji, i vendosur në vitin 2008 dhe i zbatuar në vitin 2013, ka ndikuar në gjendjen e sotme.
“Oferta fituese e KEDS-it ishte 26.3 milionë euro. Në analizën e atëhershme, VV-ja ngriti shqetësimet për mungesën e të dhënave mbi vlerën e pasurisë që po shitej. Është çështje politike që akoma mbetet e hapur. Si u mbrojt interesi publik kur qytetarët nuk e dinin as vlerën që po shitej?”, deklaroi Kelmendi.
Ai kërkoi përgjegjësi nga partitë që e mbështetën privatizimin, duke thënë se atëherë ishte premtuar se kalimi i shpërndarjes dhe furnizimit në pronësi private do t’i zgjidhte problemet me energjinë.
“Pjesën dërrmuese të energjisë së importuar për furnizim dhe mbulim të humbjeve në shpërndarje e bëjnë KESCO dhe KEDS. E këto të dyja janë private”, deklaroi deputeti i LVV-së.





Recent Comments