Friday, October 9, 2026
spot_img
HomeSiguriProkurori Kodraliu: Provat e grumbulluara do ta vërtetojnë se Shabani e Qerimi...

Prokurori Kodraliu: Provat e grumbulluara do ta vërtetojnë se Shabani e Qerimi i shërbyen BIA-s

Gjykimi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh në favor të BIA-s serbe, ka nisur nga e para, ndërsa të dy janë deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Në fjalën hyrëse, prokurori special Bekim Kodraliu ka thënë se provat që do të administrohen gjatë procesit gjyqësor do të dëshmojnë, sipas tij, se të akuzuarit kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, BIA, duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të cilët veç e veç kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’, ndërsa i akuzuari Muharrem Qerimi akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër në shqyrtim fillestar e ka pranuar fajësinë”, ka thënë ai.

Advertisement

Tutje theksoi se BIA po zhvillon aktivitet spiunazhi në Kosovë dhe për këtë ka thënë se ekzistojnë prova konkrete. Siç potencoi Kodraliu, Bedri Shabani e kishte ndërlidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë”.

“Do të vërtetohet në tërësi nga provat që do të administrohen para jush, janë më shumë se 30 raporte policore, me prova konkrete në të, raporti nga Agjencia Forenzike e Kosovës, konfirmimet zyrtare nga AKI dhe burimet e qasshme…. Raportet për hyrje daljet për Serbi dhe kthimi në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacione dhe foto albume, që përmbajnë foto të luftës së Kosovës, diagrame, fotografi të përgatitura, e në veçanti provat materiale të cilat janë gjetur në posedim tek i pandehuri Bedri Shabani, do të vërtetohet se i njëjti që spitalin e Mollopolcit, ta ndërlidhë me shtëpinë e ashtuquajturën Shtëpia e Verdhë, në Shqipëri. Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet që i pandehuri Bedri Shabani nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij 05.06.2024, e ka ndihmuar BIA-në përmes Sërgjan Rosiqit, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe librave që kanë të bëjnë më ngjarjet të UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimit telefonik dhe takimeve fizike me Sërgjan Rosiqin”.

Në seancën e fundit, më 30 prill, kishte vazhduar mbyllur gjykimi për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit Edhe seancat e 28 dhe 29 janarit 2026, ishin mbajtur të mbyllura për të njëjtat arsye.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.

Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.

Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.

Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.

Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments