Arlinda Zekaj kërkoi ndërhyrje urgjente nga Prokuroria Themelore në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj. Më 22 tetor dorëzoi letrën, ndërsa më 25 tetor u vra në Vitomiricë të Pejës.
Një letër e shkruar me dorë, e adresuar te Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, dëshmon se Arlinda Sylaj Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje urgjente të institucioneve vetëm tri ditë para se të vritej.
Radar Report ka parë dokumentin, i cili mban vulën e pranimit të Prokurorisë, me datën 22 tetor 2026.
Në letrën e saj, Zekaj kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare, si dhe zbatimin e menjëhershëm të një urdhri gjyqësor.
Ajo shprehte shqetësimin se institucionet po bartnin përgjegjësinë te njëra-tjetra, ndërkohë që rreziku për jetën e saj vazhdonte.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo në letër.
Zekaj kërkonte gjithashtu hetimin e zyrtarëve përgjegjës, duke përmendur edhe Qendrën për Punë Sociale.
Në fund të letrës, ajo kishte shprehur zhgënjimin e saj me mënyrën se si institucionet po i trajtonin rastet e tilla.
“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vretka gruan – jo burrat! E dhimbshme deri në asht!!”, kishte shkruar ajo.
Tri ditë pas dorëzimit të kësaj letre, Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas raportimeve fillestare, e kishte goditur me sëpatë.
Pas publikimit të dokumentit, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se kishte pranuar parashtresën e Zekajt dhe se Kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, lidhur me pretendimet për mospërmbushje të detyrave zyrtare.
Rasti ngre pyetje serioze për trajtimin institucional të kërkesave të saj, veprimet e ndërmarra pas pranimit të letrës dhe zbatimin e vendimit gjyqësor që ajo përmendte.
Përgjegjësia eventuale e zyrtarëve duhet të përcaktohet përmes hetimeve të institucioneve kompetente.
Radar Report do të përcjellë zhvillimet dhe sqarimet zyrtare lidhur me këtë rast.
Burime: dokumenti i dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Pejë më 22 tetor 2026; njoftimi i Prokurorisë dhe raportimet e KosovaPress-it dhe Gazetës Sinjali.





Recent Comments