Tuesday, November 3, 2026
spot_img
HomeOpinioneShkruan profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami: Veriu i Kosovës, një...

Shkruan profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami: Veriu i Kosovës, një realitet i ri midis sovranitetit dhe kërcënimeve të luftës hibride Serbe

Sulmi terrorist në Banjskë nuk ishte thjesht një ngjarje e izoluar kriminale, por një pikë kthese që e ridefinoi rrënjësisht arkitekturën e sigurisë në Republikën e Kosovës, veçanërisht në komunat veriore.

Sot, pasojat e asaj ngjarjeje po pasqyrojnë një realitet plotësisht të ri gjeopolitik dhe operacional në terren. Nga njëra anë, institucionet e Kosovës kanë arritur një konsolidim të jashtëzakonshëm të sovranitetit shtetëror. Prania e shtuar dhe vigjilenca e njësive elitare të Policisë së Kosovës kanë marrë kontrollin e plotë të terrenit, duke pamundësuar lëvizjen e lirë të strukturave të armatosura dhe duke shpërbërë rrjetet e vjetra të kontrabandës që lidhnin krimin e organizuar me zyrtarët në Beograd. Mbyllja e institucioneve ilegale serbe, ndalimi i dinarit dhe integrimi i suksesshëm i targave RKS kanë zhbërë hapat e fundit të autoritetit paralel të Serbisë në këtë rajon.

Advertisement

Kjo gjendje e re stabiliteti është konfirmuar edhe nga vetë aleanca e NATO-s, si dhe përmirësimi i ndjeshëm i situatës së sigurisë ka mundësuar që misioni i KFOR-it të zvogëlojë praninë e tij në terren në rreth 3,000 deri në 3,500 trupa, duke ia lënë përgjegjësinë e parë institucioneve vendore, ndonëse duke mbajtur forca rezervë të gatshme për çdo emergjencë.
Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha dhe komplekse, të zhvendosura tashmë në sferën e drejtësisë dhe luftës asimetrike.

Ndonëse Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë dënimet e para të rënda, përfshirë burgimin e përjetshëm për disa nga pjesëmarrësit e kapur në Banjskë, pjesa më e madhe e grupit terrorist, në fshehje në Serbi nën mbrojtjen direkte të aparatit shtetëror të Vuçiqit, mbetet jashtë rrezes së drejtësisë. Ky refuzim i Beogradit për të dhënë llogari dhe për të ekstraduar Milan Radoiçiqin ka bllokuar procesin e normalizimit dhe ka konfirmuar se Serbia ka ndryshuar vetëm taktikën, ma jo qëllimin. Tani që një sulm i ri frontal ushtarak është i pamundur për shkak të kostove gjeopolitike, Beogradi zyrtar po aplikon një strategji të pastër të luftës hibride të stilit rus në “zonën e hirtë”.

Kjo përfshin fushata masive të dezinformimit, sulme kibernetike ndaj infrastrukturës digjitale të Kosovës dhe nxitje të vazhdueshme të ndjenjës së pasigurisë tek minoriteti serb. Ky presion psikologjik mban ende të lartë hendekun e mosbesimit ndëretnik, ku operacionet legjitime të policisë për sundimin e ligjit shpesh manipulohen nga propaganda serbe për t’u perceptuar me frikë nga popullata lokale, siç ishte rasti i rrënimeve të objekteve pa leje ndërtimi te Liqeni i Ujmanit.

Rrjedhimisht, derisa kontrolli fizik i sigurisë është i padiskutueshëm, integrimi i plotë shoqëror dhe politik i veriut mbetet një sfidë e brishtë, e cila kërkon vigjilencë të vazhdueshme strategjike përballë një fqinji qe ushqen terrorizmin shtetror!

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments