Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë në një aksion humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.
“Ky aktivitet humanitar është një tjetër dëshmi se misioni i Policisë së Kosovës nuk kufizohet vetëm në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por shtrihet edhe në mbështetjen dhe përkujdesjen ndaj komunitetit, veçanërisht në situata kur kontributi i secilit mund të jetë i rëndësishëm për shpëtimin e një jete”, thuhet në njoftim.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka shprehur mirënjohjen për të gjithë zyrtarët policorë që iu përgjigjën kësaj nisme dhe kontribuan vullnetarisht në këtë akt human.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar që, përmes veprimeve konkrete dhe iniciativave humanitare, të jetë gjithmonë pranë qytetarëve dhe në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së tyre.


