
Trupi gjykues në Hagë ka konstatuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha kontribut të qenësishëm në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Drejtorisë Politike, ishte një figurë kyçe në formulimin dhe zbatimin e tij.
Sipas gjykatës, Thaçi kishte rol të rëndësishëm në formulimin e vizionit politik të UÇK-së, përfshirë shënjestrimin e personave të konsideruar kolaboracionistë dhe kundërshtarëve politikë, si dhe krijimin e strukturave për zbatimin e këtij qëllimi.
Trupi gjykues ka konstatuar gjithashtu se Thaçi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pozita kyçe komanduese, me synim ruajtjen e kontrollit mbi UÇK-në.
“Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme. Përmes deklaratave dhe komunikatave, si dhe përdorimit të luftës speciale, Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve. Thaçi mori pjesë personalisht në krime, përfshirë arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Bajicë, si dhe në arrestimin, ndalimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Hallaqit. Ai kishte dijeni edhe për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë”, ka thënë trupi gjykues.

