Zubin Potok, 13 tPolicia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale në dy lokacione të ndryshme në komunën e Zubin Potokut, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në fshatin Paruc, në një objekt të pabanuar që shërbente si stallë për bagëti, janë gjetur 141 fishekë të armës së gjatë, 21 fishekë të armës së gjatë me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë dhe katër granata dore.
Po ashtu, në këtë lokacion janë sekuestruar një tytë e pushkës së gjuetisë, 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë, pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, materiale të tjera për mbushjen e fishekëve, një maskë gazi ushtarake dhe një bajonetë ushtarake.
Ndërkaq, në fshatin Ranqiq, në një objekt tjetër të pabanuar, policia ka gjetur një pistoletë, katër granata dore dhe 2.056 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në të dy lokacionet kanë intervenuar edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (IEOD), të cilat i kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.
Policia ka bërë të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar, ndërsa për rastet është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të raportojnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.







Recent Comments