Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur angazhimin e përbashkët të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për hetimin dhe suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për ngacmim seksual dhe kontrollim të paligjshëm, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka theksuar se nuk do të lejohet që individë të njollosin Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, të cilët shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë. Misioni i Policisë së Kosovës është shërbimi ndaj qytetarëve dhe pa asnjë kompromis dënojmë çdo keqpërdorim që bëhet për çfarëdo përfitimi në emër të saj”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës mbështetet në profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë e institucionit.
“Besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës është i ndërtuar mbi profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë e saj. Inspektorati Policor i Kosovës mbetet mekanizmi thelbësor i llogaridhënies, duke siguruar që çdo shkelje të trajtohet me seriozitet dhe pa asnjë kompromis”, ka deklaruar Sveçla.





Recent Comments