Kosova ka adresuar kërkesën te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa prioritet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë edhe mbrojtja ajrore. Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka folur edhe për kërcënimet që, sipas tij, paraqet Serbia për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.
Maqedonci tha se kërkesa për helikopterë është adresuar nga komandanti i FSK-së dhe se procedurat për blerjen e tyre zhvillohen përmes programit amerikan FMS, ku përfshihet Departamenti Amerikan i Luftës.
“Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, pra fluturaket pa pilot që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë. Edhe mbështetja ajrore, që nënkupton edhe kjo pjesa e helikopterëve, për të cilën tashmë komandanti i FSK-së ka adresuar kërkesën për SHBA-në, për të diskutuar këtë çështje, sepse kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, që nënkupton ne dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, të gjitha procedurat e negocimit, prokurimit, edhe procedurat e tjera për blerje zhvillohen nga Departamenti Amerikan i Luftës”, tha Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes foli edhe për armatimin e blerë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se FSK-ja ka shtuar llojet e sistemeve të armatimit dhe se po synohet zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve ushtarake.
“Ne kemi bërë blerje të llojllojshme, pra gjatë këtyre fazave, sidomos gjatë tre-katër viteve të fundit, kemi bërë prokurimet e sistemeve shumë të rëndësishme të armatimit. Dihet që një pjesë edhe janë bërë publike, një pjesë janë parë edhe gjatë ushtrimeve, një pjesë i kemi theksuar edhe në publikimet tona. I kemi aktualisht katër lloje të sistemeve antitank, lloje të mortajave të ndryshme, për çitje në distancë të ndryshme, lloje të automjeteve të ndryshme, kemi prokuruar edhe sisteme të artilerisë mobile”, tha ai.
Maqedonci bëri të ditur se Kosova po punon edhe në zhvillimin e njësive të reja dhe në përshtatjen e kapaciteteve mbrojtëse me situatën aktuale të sigurisë.
“Pra, ne këto ndryshime që po i bëjmë edhe bashkë me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, këtu rritjen e numrit të armëve, po mendoj, shumëfishimin e llojeve të armëve, rritjen e njësive të reja, sepse kemi dy njësi të reja që tashmë janë shumë operacionale, siç janë njësia për operacione speciale dhe njësia për fluturake të papilotë, që janë njësi që s’kanë qenë të planifikuara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, janë bërë duke, analizuar situatën aktuale dhe nevojat që ka Kosova për mbrojtje”, shtoi.
Ai tha se zhvillimi i FSK-së po bëhet në përputhje me nevojat aktuale për mbrojtje, pasi plani gjithëpërfshirës i tranzicionit ishte hartuar duke u bazuar në një analizë të rreziqeve të vitit 2014.
“Pra, dy vite më herët jemi duke e mbushur, Forcën e Sigurisë së Kosovës me personelin e nevojshëm. Jemi duke punuar pastaj edhe në aspektin e regrutimit të rezervës, po mendoj rezervës aktive. Gjithashtu, ëh, si rrjedhojë e mbështetjes së vazhdueshme që kemi marrë nga kryeministri dhe qeveria, ne kemi arritur që të shumëfishojmë llojet e armatimit, pra kemi shumë e shumë lloje të armatimit, siç kanë qenë të planifikuara me atë planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por përveç që kemi shumë e shumë lloje, kemi edhe shumë e shumë sasi, siç ka qenë e planifikuar, me planin e gjithëpërfshirës të tranzicionit. Dhe kjo është bërë jo, thjesht për të mbushur depot me armatime dhe municione, por për të mbushur nevojën e Kosovës që ka për mbrojtje. Plani i gjithëpërfshirës i tranzicionit është një plan që është bërë në vit, është aprovuar në vitin 2018, nga Kuvendi i Kosovës. Normalisht, ka shumë elementë të klasifikuar në atë plan që nuk mund të bëhen publik, mirëpo është për t’u theksuar që ai plan është draftuar, është bërë bazuar në një analizë që është bërë në vitin 2014, kur rreziqet dhe kërcënimet kanë qenë të tjera”, theksoi ai.
Ministri tha se synimi është që deri në vitin 2028 FSK-ja të jetë e përgatitur për mbrojtjen e territorit, por theksoi se zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse do të vazhdojë edhe pas këtij viti.
“Unë vlerësoj që viti 2028 do të na gjejë me një forcë të sigurisë së Kosovës të përgatitur edhe të gatshme për të mbrojtur territorin. Normalisht që zhvillimi i ushtrisë nuk përfundon në vitin 2028. Ne jemi duke punuar që të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dhe për më tepër, në qeverinë e Kosovës është aprovuar dhe programi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse, që gradualisht Kosovën ta shndërrojë në një vend, me një sistem mbrojtës, ku do të kemi një ushtri profesionale, që është Forca e Sigurisë së Kosovës, me të gjitha kapacitetet e nevojshme ushtarake, dhe krahas saj të kemi një angazhim të një rezerve vullnetare nga shoqëria civile, por edhe një angazhim të institucioneve për sistemin tonë mbrojtë”, potencoi ministri.
Ai shtoi se krahas forcës profesionale, synohet përfshirja e qytetarëve dhe institucioneve në sistemin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, përfshirë përgatitjen për situata krizash dhe fatkeqësi natyrore.
“Pra, Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojë të personalizohet si forcë profesionale, në anën tjetër, po ndërtojmë një sistem mbrojtjeje gjithëpërfshirëse, të gjithë qytetarët dhe gjithë institucionale. Pra, qytetarët do të kenë mundësinë të trajnohen, përgatiten, që të kenë rolin e tyre brenda sistemit tonë të mbrojtjes, dhe të vazhdojnë normalisht me jetën e përditshme, me punët që kryejnë, në baza ditore, edhe do të thirren kur të ketë nevojë vendi, jo vetëm në rast lufte, por edhe në rast krizash, edhe në rast të fatkeqësive natyrore”, tha ai.
Maqedonci bëri të ditur se FSK-ja është duke rekrutuar edhe 530 pjesëtarë, të cilët po përfundojnë trajnimin në Ferizaj, me qëllim të përmbushjes së numrit prej 5 mijë pjesëtarësh aktivë.
“Ne në vazhdimësi, kemi bërë gjatë këtyre viteve investime në fushën e mbrojtjes, është për t’u theksuar fakti që është katërfishuar buxheti për Ushtrinë e Kosovës gjatë mandatit të kaluar të qeverisë. Kemi bërë hapa të mëdhenj në raport me forcimin e kapaciteteve tona ushtarake. Kemi arritur shumë prej objektivave në faza shumë më të hershme sesa që ka qenë e planifikuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit. Aktualisht, jemi duke i regrutuar edhe 530 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë duke përfunduar tashmë trajnimin në Ferizaj, pra në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, për të përmbushur atë numrin 5.000 aktivë, që kërkohet sipas planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ministri.





Recent Comments