Zjarrfikësit kanë nisur kërkimet mes rrënojave të një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të Nju Jorkut, e cila u shemb të mërkurën pranë një kantieri ndërtimi. Si pasojë e shembjes, të paktën një person humbi jetën, ndërsa disa të tjerë mbetën të bllokuar nën rrënoja.

Ekipet e emergjencës u njoftuan për ngjarjen rreth orës 16:00, në zonën e Flatbushit. Pamjet e filmuara nga helikopterët e mediave treguan dhjetëra zjarrfikës duke kërkuar mes rrënojave. Në një moment, një grup prej tyre u përqendrua në një pjesë të caktuar të objektit, ku dukej se po përdornin një sharrë për të prerë materialet e shembura.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut, një person ka humbur jetën, ndërsa katër të tjerë janë dërguar në spital në gjendje kritike. Gjashtë persona të tjerë kanë marrë lëndime më të lehta dhe gjithashtu janë transportuar në spital.
Pamjet ajrore treguan momentin kur zjarrfikësit nxorën të paktën një person nga rrënojat dhe e transportuan me barelë.
Ndërtesa që u shemb ndodhej në skajin e një parcele ku më parë ishte rrënuar një objekt tjetër njëkatësh, për t’i hapur rrugë një projekti të ri ndërtimi. Në atë zonë po kryheshin punime gërmimi, ndërsa shembja e ndërtesës trekatëshe bëri që gropa e kantierit të mbushej me tulla dhe mbetje druri.
Një ndërtesë tjetër, e cila ndante një mur të përbashkët me objektin e shembur, arriti të qëndronte në këmbë. Megjithatë, një pjesë e murit të saj u shkatërrua plotësisht, duke ekspozuar ambientet e brendshme, përfshirë një dhomë gjumi dhe dollapë të mbushur me rroba.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdoi edhe pas rënies së errësirës. Zjarrfikësit përdorën dronë, qen të trajnuar për kërkimin e personave nën rrënoja dhe ndriçues për të kontrolluar zonën. Një pjesë e madhe e punës u krye me dorë, ndërsa ekipet largonin copëzat e betonit dhe materialet e tjera të shembura.
Ndërkohë, mediat kanë tentuar të kontaktojnë arkitektin, pronarin e pronës dhe kompaninë kontraktore të përfshirë në projektin e ndërtimit, të cilët figurojnë në dokumentet zyrtare të qytetit, por deri më tani nuk është bërë e ditur ndonjë deklaratë e tyre.
Shkaqet e shembjes së ndërtesës mbeten ende për t’u sqaruar.





Recent Comments