Akademiku Arsim Bajrami ka vlerësuar se procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jetik për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, duke kërkuar reagim institucional dhe një pozicionim të qartë të shtetit karshi këtij procesi.
Në emisionin “Prime” në RTK, Bajrami ka thënë se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të shihet vetëm si proces individual, pasi, sipas tij, mund të ndikojë në mënyrën se si ndërkombëtarët e interpretojnë krijimin e shtetit të Kosovës dhe luftën për liri e pavarësi.
“Procesi që po zhvillohet në Hagë është një proces jetik për Republikën e Kosovës, për historinë e saj dhe për të ardhmen e saj. Dhe ky proces prek esencën e shtetësisë së Kosovës, për këtë arsye kërkohet një reagim shtetëror, institucional dhe një pozicionim i drejtë dhe i vendosur i Republikës së Kosovës karshi këtij procesi”, ka deklaruar Bajrami.
Ai ka kundërshtuar pohimet se gjykimi prek vetëm katër persona dhe nuk ka ndikim në të ardhmen e vendit.
“Nuk po gjykohen katër ushtarë të thjeshtë, por katër themelues të një geriljeje patriotike që qëndron në historinë e Kosovës, të cilët njëkohësisht kanë dhënë edhe kontribut substancial në procesin e shtetndërtimit”, ka thënë ai.
Duke folur për Ligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Bajrami ka thënë se, meqë është votuar në Kuvend, procedura duhet të përfundojë dhe ligji të dërgohet për nënshkrim te presidentja dhe më pas të shpallet në Gazetën Zyrtare.
Ai ka theksuar se nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij ligji dhe se nuk është konsultuar nga Partia Demokratike, ndonëse më herët, siç ka thënë, ka qenë hartues i akteve kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
“Një shtet serioz nuk mund të luajë me ligjet e veta. Duhet të finalizohet ky proces dhe pastaj, në qoftë se ka të meta apo ka nevojë për ndërhyrje në këtë ligj, ato ndërhyrje bëhen në mënyrë institucionale, në procedura kushtetuese”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas tij, tërheqja e ligjit apo kthimi i tij në procedurë me kërkesë të një partie politike do ta vendoste shtetin në një pozitë të papërcaktuar institucionale.
Ai ka shtuar se, nëse pas shpalljes së ligjit evidentohen dispozita të mangëta apo kontradiktore, ato duhet të trajtohen përmes një ligji të ri për plotësimin dhe ndryshimin e tij.
Bajrami kërkon komision parlamentar për monitorimin e procesit në Hagë
Akademiku Arsim Bajrami ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës është vonuar në reagimin ndaj procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se është dashur të themelohet një komision parlamentar ad-hoc për monitorimin e këtij procesi.
Në emisionin “Prime” në RTK, Bajrami ka deklaruar se Kuvendi është dashur të ndërmarrë më herët veprime institucionale, përfshirë kërkesat për monitorim dhe takimet me financuesit e Dhomave të Specializuara.
“Është dashur të themelohet një komision parlamentar ad-hoc që do ta monitoronte, në vend se partitë politike të mobilizohen”, ka thënë Bajrami.
Duke folur për ligjin e miratuar në Kuvend lidhur me Dhomat e Specializuara, ai e ka cilësuar atë si protestë institucionale ndaj procesit gjyqësor.
“Unë më shumë e quaj këtë iniciativë ligjore si një protestë, protestë e Kuvendit të Kosovës karshi një gjykimi të padrejtë me plot shkelje”, ka deklaruar Bajrami.
Ai ka shtuar se reagimi është bërë me vonesë dhe se Kosova nuk ka vepruar me kohë për të adresuar, siç i ka quajtur ai, shkeljet në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Bajrami: Procesi në Hagë devijoi, institucionet nuk reaguan
Bajrami ka kritikuar institucionet e Kosovës për mosreagim ndaj, siç pretendon ai, shkeljeve gjatë procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Disa profesorë, unë si akademik, kemi alarmuar me kohë që të veprohet, sepse procesi po devijon. Nuk kanë qenë ato tri palë, por kanë qenë dy palë. Është shkelur parimi esencial i gjykimit të drejtë, barazia e armëve, sepse prokuroria dhe gjykata kanë ndërtuar një partneritet dhe një koalicion, njëra-tjetrën e kanë plotësuar, derisa mbrojtja ka qenë e vetme”, ka deklaruar Bajrami në një intervistë.
Ai ka thënë se, bazuar në përcjelljen e seancave, ka qenë e vështirë të pritej një aktgjykim lirues.
“Ka qenë gati utopike apo e pamundshme me pritë një aktgjykim lirues, sepse ne e kemi parë aty ku gabonte prokurori e plotësonte kryetari i trupit gjykues. Ose aty ku kryetari i trupit gjykues linte diçka pa thënë, e plotësonte prokurori”, është shprehur ai.
Bajrami e ka cilësuar procesin si përpjekje për të dëmtuar shtetësinë e Kosovës dhe për të njollosur luftën e UÇK-së, duke pretenduar se pas tij qëndronin interesa politike të Serbisë dhe Rusisë.
Bajrami: Beteja kryesore për ish-krerët e UÇK-së do të zhvillohet në Apel
Bajrami ka thënë se beteja kryesore juridike për ish-krerët e UÇK-së do të zhvillohet në Dhomat e Apelit në Hagë, duke kërkuar krijimin e një grupi ekspertësh të nivelit të lartë për të ndihmuar ekipet e mbrojtjes.
“Për momentin esenciale, vendimtare për këtë proces, sepse është proces i hapur, kemi kaluar vetëm shkallën e parë. Pra, nuk është fundi i një gjykimi. Jemi vetëm në fazën e parë. Beteja kryesore do të jetë në Dhomat e Apelit dhe tani vijnë në konsideratë vetëm dimensionet ligjore dhe juridike. Ne duhet të përgatitemi për një ankesë përmbajtësore që do të ketë sukses, që e rrëzon këtë aktgjykim të padrejtë dhe që pretendon pafajësinë e plotë të të akuzuarve”, ka deklaruar Bajrami në një intervistë.
Ai ka vlerësuar se krahas strategjisë që po hartohet, nevojitet angazhim i menjëhershëm i ekspertëve juridikë për të ndihmuar mbrojtjen.
“Është krijimi i një grupi ekspertësh të nivelit të lartë. Çka nënkupton? Duhet t’i zgjedhim prokurorët më të mirë që janë të specializuar për krimet e luftës. Ka në Kosovë. Ne nuk duhet të themi që do t’i marrim nga Londra. Unë i kam pasur studentë dhe krenohem me ta. Ka prokurorë të jashtëzakonshëm, ka gjyqtarë të jashtëzakonshëm, ka avokatë të jashtëzakonshëm, ka profesorë të së drejtës penale”, është shprehur ai.
Bajrami ka thënë se grupi i ekspertëve, i mbështetur nga Qeveria, duhet të punojë me ekipet e mbrojtjes dhe t’u ofrojë prova e materiale që mund të ndihmojnë në procesin e Apelit.
“Në një afat njëmujor, duhet t’i takojë avokatët, ekipet e mbrojtjes dhe duhet t’u ofrohet çka ne mund t’u ofrojmë nga terreni. Çfarë provash të reja ne mund t’u ofrojmë. Ne më së miri e dimë kontekstin e luftës në Kosovë, sepse jemi duke jetuar në Kosovë”, ka deklaruar Bajrami.





Recent Comments