Tre persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të lidhur me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, janë identifikuar përmes analizës së ADN-së.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili njoftoi se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tri raportet e para të ADN-së, të bazuara në mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas kryeministrit Kurti, identiteti i tre viktimave është konfirmuar më pak se dy muaj pas konfirmimit të varrit të parë masiv.
“Analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe”, ka deklaruar ai.
Raportet e ADN-së janë përcjellë te Instituti për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit kanë njoftuar familjet e tre personave të identifikuar.
Kryeministri Kurti ka thënë se priten edhe rezultate të tjera nga mostrat e dërguara për identifikim, duke shprehur shpresën se edhe familjet e tjera do të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh.
“Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, ka shkruar ai.
Varri masiv në Kalludër ishte konfirmuar më 27 korrik, ndërsa zhvarrosjet në këtë lokacion dhe në Jabukë kanë mundësuar marrjen e mostrave mortore për procesin e identifikimit përmes ADN-së.
Kryeministri Kurti ka kërkuar gjithashtu shtimin e trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel, përfshirë hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave ende të zhdukur.
Institucionet e Kosovës kanë deklaruar se procesi i kërkimit, identifikimit dhe mbështetjes së familjeve do të vazhdojë, ndërsa zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet një prej çështjeve të hapura të pasluftës.

