Sunday, November 1, 2026
spot_img
HomeSiguriRutte: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit aleat, Rusia nuk...

Rutte: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit aleat, Rusia nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca Veriatlantike është e përgatitur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të vendeve anëtare, duke theksuar se aktualisht nuk sheh kërcënim të menjëhershëm ndaj territorit të NATO-s nga Rusia.

Gjatë një vizite në Talin të Estonisë, ku u takua me kryeministrin estonez Kristen Michal, Rutte tha se NATO i ka të gjitha planet e nevojshme për mbrojtjen e vendeve anëtare dhe se do të reagojë nëse vëren grumbullim të forcave ruse që paraqet kërcënim.

“Ne nuk mendojmë se Rusia do ta bëjë këtë dhe nuk shohim kërcënim të menjëhershëm ndaj territorit të NATO-s. Nëse do të shohim një grumbullim forcash, do të reagojmë”, deklaroi Rutte.

Advertisement

Ai theksoi se mesazhi i komandantit suprem të forcave aleate në Evropë, gjeneralit Alexus Grynkewich, ishte i qartë: NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit aleat, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zona pranë Parisit, Talinit, Uashingtonit apo Otavës.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit aleat. Të gjitha planet janë në fuqi dhe ne jemi të përgatitur”, tha Rutte, duke shtuar se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe nuk synon të sulmojë asnjë vend.

Rutte: Sulmet hibride ruse janë shenjë dobësie

Duke folur për sulmet hibride dhe kibernetike që u atribuohen strukturave ruse, shefi i NATO-s tha se Aleanca i ka të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur këtyre veprimeve, edhe kur kundërpërgjigjet nuk bëhen publike.

“Ne nuk do të frikësohemi. Do të reagojmë aty ku është e nevojshme. Jo gjithmonë në mënyrë të dukshme, por gjëja më e rëndësishme është se ne jemi më të fortë”, deklaroi Rutte.

Ai përmendi operacionin “Baltic Sentry”, të nisur në janar të vitit 2025 pas dëmtimit të një kablloje nënujore mes Estonisë dhe Finlandës, si shembull të reagimit të NATO-s ndaj kërcënimeve që rrezikojnë infrastrukturën kritike në rajonin e Baltikut.

Rutte gjithashtu theksoi se Rusia po përpiqet të dobësojë vendosmërinë e vendeve perëndimore dhe të ndalë mbështetjen për Ukrainën, por sipas tij, Aleanca nuk do të lejojë që këto veprime të ndikojnë në angazhimin e saj.

NATO kërkon mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën

Gjatë deklaratës së tij, Rutte vlerësoi Estoninë për kontributin në mbrojtjen kolektive të NATO-s dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Ai bëri të ditur se Estonia ka ofruar më shumë se 850 milionë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga viti 2022, si dhe ka kontribuar në trajnimin e mijëra ushtarëve ukrainas.

Rutte vlerësoi gjithashtu angazhimin e Estonisë për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës në vlerë prej së paku 0.25 për qind të bruto produktit vendor.

Ai theksoi se, me afrimin e dimrit dhe vazhdimin e sulmeve ruse ndaj civilëve ukrainas, vendet aleate duhet të bëjnë më shumë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore.

Ndërkaq, kryeministri estonez Kristen Michal, në deklaratën e tij, u përshëndet nga Rutte për investimet e larta në mbrojtje dhe për rolin e vendit në forcimin e sigurisë së krahut lindor të NATO-s.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments