Prishtinë, 23 tetor 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ceremonisë së betimit të 515 rekrutëve të rinj, të cilët iu bashkuan Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Haxhiu ka vlerësuar se rekrutët, shumica e të cilëve janë rritur në Kosovën e lirë, sot morën përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
Ajo ka theksuar se liria e Kosovës është fituar përmes luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së gjithë popullit.
“Shumica prej tyre janë rritur në Kosovën e lirë. Sot morën përgjegjësinë ta mbrojnë këtë liri, të fituar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me sakrificën e gjithë popullit tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka thënë se FSK-ja po rritet vit pas viti dhe gëzon besimin e qytetarëve dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë.
Ajo ka zotuar se Kuvendi do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në përmes legjislacionit dhe buxhetit të nevojshëm.
Në fund, Haxhiu u ka uruar ushtarëve të rinj shërbim të mbarë dhe suksese në çdo detyrë.










Recent Comments