Prishtinë, 29 tetor 2026
Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Suspensionet janë bërë pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili po zhvillon hetime paraprake për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e këtij rasti.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në mesin e të suspenduarve janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë me pozita drejtuese dhe katër hetues policorë.
Në mesin e të suspenduarve janë gjithashtu shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës dhe komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë.
Policia ka bërë të ditur se masat janë ndërmarrë në interes të zhvillimit të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale.
Hetimet e IPK-së synojnë të sqarojnë nëse ka pasur veprime apo mosveprime të zyrtarëve policorë në trajtimin e rastit që përfundoi me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e integritetit institucional dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për zbardhjen e plotë të rastit.





Recent Comments