Komisioni i Prokurorisë së Lartë Publike në Serbi, me udhëzim të kryeprokurores Zagorka Dolovac, ka vënë nën shqyrtim edhe rastin ndaj Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e konfliktit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Sipas raportimit të mediumit serb “Nova.rs”, vëmendje e veçantë e komisionit është përqendruar në rrethanat se si Radoiçiqit nuk iu caktua masa e paraburgimit pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, pavarësisht rëndësisë së veprave penale për të cilat dyshohet.
Mediumi raporton se një nga arsyet e moscaktimit të paraburgimit ishte propozimi i prokurorit të atëhershëm, Nikola Panteliq, i cili kishte paraqitur vetëm një rrethanë për caktimin e kësaj mase – rrezikun e arratisjes.
Megjithatë, sipas “Nova.rs”, Radoiçiqi ishte dorëzuar vetë dhe kishte shkuar vullnetarisht në marrje në pyetje.
Komisioni pritet të shqyrtojë edhe arsyet pse prokurori Panteliq nuk ishte thirrur në tri rrethanat e tjera ligjore për caktimin e paraburgimit: rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin në dëshmitarë dhe shqetësimin e publikut.
Radoiçiqi kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit serb.
Pas ngjarjes, përmes avokatit të tij, ai kishte deklaruar se kishte ardhur në veri të Kosovës me qëllim të organizimit të rezistencës ndaj institucioneve të Kosovës.





Recent Comments