Monday, November 2, 2026
spot_img
HomeEkonomiPrezantohet projekti i banimit social, Kurti: Po investojmë 37 milionë euro për...

Prezantohet projekti i banimit social, Kurti: Po investojmë 37 milionë euro për 21 komuna

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar sot projektin për banim social adekuat në Kosovë, për të cilin janë siguruar gjithsej 37 milionë euro, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë.

Kurti tha se projekti përfaqëson një investim të rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale, duke theksuar se banimi duhet të trajtohet si pjesë e politikave sociale të shtetit.

“Një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt, atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të. Një familje që nuk mund të ketë mundësi të barabarta, atëherë duhet që ne të sigurojmë patjetër kushte të përshtatshme banimi”, deklaroi Kurti, në konferencën e përbashkët me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, dhe me ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Advertisement

Ai tha se qeveria gjatë mandatit të saj ka ndërmarrë masa të ndryshme për mbështetjen e familjeve, veçanërisht atyre me fëmijë dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.

“Mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, mbështetja është edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Qeveria, tha ai, ka siguruar 25 milionë euro përmes një marrëveshjeje kredie me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro të tjera janë ndarë nga buxheti i Kosovës.

“Pra kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë euro. Ky është gjithsesi një investim i madh”, tha Kurti.

Ai theksoi se 21 komuna do të përfshihen në projekt dhe se qindra familje pritet të përfitojnë nga ndërhyrjet që do të realizohen.

“Sot kemi ardhur në një pikë ku ky angazhim po kalon nga planifikimi dhe përgatitja në fazën konkrete të zbatimit”, tha kryeministri në detyrë.

Kurti shtoi se komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.

Kurti: Ky është projekt i ri shtesë, punimet në projektin e banimit të përballueshëm kanë arritur në 35 për qind

Kryeministri në detyrë rikujtoi se në këtë projekt do të përfshihen 21 nga gjithsej 38 komunat e Kosovës, apo rreth 55 për qind e tyre.

Ai përsëriti se projekti ka vlerë prej 37 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro janë kredi e butë nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro janë bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës.

Kurti theksoi se ky projekt nuk e zëvendëson projektin për banim social apo të përballueshëm që tashmë ka nisur.

“Dhe të mos harrojmë që ky nuk është zëvendësim për projektin i cili po vazhdon për banim të përballueshëm ose social, por ky projekt për banim social adekuat është shtesë e atij që tashmë ka filluar”, tha Kurti.

Ai tha se projekti për banim të përballueshëm aktualisht është në fazën e implementimit në Pejë, në Istog, në Podujevë dhe në Gjilan.

“Punimet po zhvillohen në gjithsej shtatë lote, në përputhje me kontratat e nënshkruara dhe planat dinamike të aprovuara për secilin projekt. Në përgjithësi, niveli i realizimit, pa shpenzimet e buxhetit të pagesave, deri në këtë fazë është 35%, e për lote të caktuara shkon deri në 53%. E drejta për jetë, e drejta për banim, barazia mbi të gjitha jo vetëm si synim i përbashkët, por edhe si pikënisje, padyshim mbeten vlerat nga të cilat nisemi e shkojmë me të vetmin qëllim që shteti të jetë për krejt, sepse krejt jemi të këtij shteti”, tha Kurti.

- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments