Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) i ka lejuar KESCO-s aplikimin e tarifës së dytë për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në rrjetin elektrik për shkak të mospagesës së faturave, pa ofruar një analizë konkrete që tregon kostot reale mbi të cilat janë përcaktuar këto tarifa.
Në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, ZRrE ka arsyetuar tarifat për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve, duke thënë se ato “reflektojnë kostot që i shkaktohen operatorit për kryerjen e këtyre shërbimeve”.
Megjithatë, ZRrE nuk ka bërë publike ndonjë analizë, dhe në të njëjtën kohë, nuk i ka ofruar Buletinit Ekonomik dokumentin konkret mbi të cilin është bazuar përcaktimi i këtyre tarifave, pavarësisht se një dokument i tillë është kërkuar zyrtarisht përmes një kërkese për qasje në dokumente publike.
Në kërkesën drejtuar ZRrE-së, Buletini Ekonomik ka kërkuar dokumentin, analizën e kostove apo çfarëdo materiali tjetër që ka shërbyer si bazë për përcaktimin e tarifave për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në rast të mospagesës me kohë të faturave.
Por, edhe pas shtatë ditësh nga dërgimi i kërkesës, ZRrE nuk i ka ofruar dokumentet e kërkuara.
Mungesa e kësaj analize ngre dyshime për ndërhyrje nga operatori privat te Rregullatori dhe për favore në dëm të konsumatorëve.
Ndryshe, tarifa e dytë për shkyçje dhe rikyçje në rrjet ndaj konsumatorëve do të zbatohet nga 1 shtatori i këtij viti dhe kostoja totale do të jetë 35.40 euro, nga 17.70 sa ka qenë deri më tani.
Më saktësisht, nga 1 shtatori, tarifa që do të paguajnë konsumatorët shtëpiakë do të jetë 17.70 euro për shkyçje dhe 17.70 euro për rikyçje, bashkë me TVSH, përveç borxhit të papaguar të energjisë elektrike. Pra, një konsumator që nuk e paguan faturën me kohë dhe shkyçet nga rrjeti do të duhet të paguajë fillimisht borxhin e akumuluar, ndërsa për rikthimin në rrjet do të përballet me dy kosto, atë të shkyçjes dhe atë të rikyçjes.
Recent Comments