Biznesmeni Ergys Agasi arrestohet pas 8 muajsh në arrati. Mjeti me të cilin udhëtonte u pikas në Elbasan. Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave. Agjentët e BKH-së bënë ekzekutimin e masës së arrestit në Policinë e Tiranës. Në makinë me Agasin ishte edhe ish-efektivi Uljan Shpataraku.
Durrës – Tetë muaj ka zgjatur arratia e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim që prej dhjetorit nga SPAK-u për dosjen me abuzimet me tenderët e AKSHI-t. Biznesmeni Agasi u arrestua pasditen e sotme në Durrës, teksa lëvizte me një Audi luksoz. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me SPAK-un, të cilët e kishin pikasur mjetin me të cilin udhëtonte Agasi që në qytetin e Elbasanit. Agasi është ndjekur për të paktën 40 kilometra, drejt Peqinit, Rrogozhinës dhe Durrësit, ku u arrestua në zonën e Plepave.
Report Tv solli pamjet e momentit të arrestimit, kur rrethohet Audi, ndërsa një nga pjesëtarët e Operacionales, i maskuar, i ul kokën Agasit, ndërsa i vihen prangat. Biznesmeni dallohet i veshur sportiv, me një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra ngjyrë të zezë, një orë të bardhë dhe shapka.
Në momentin e arrestimit, Agasi ka qenë i shoqëruar nga ish-polici i shpallur po ashtu në kërkim, Uljan Shpataraku, i cili njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Shpataraku po ashtu u vu në pranga, pasi ishte në kërkim prej muajit gusht, pasi kërcënoi stafin e një hoteli në Dhërmi, pasi nuk i pëlqeu shërbimi.
Shpataraku po drejtonte Audin, nën shoqërinë e Agasit, ndërsa ky i fundit dallohet në pamjet e arrestimit teksa nxirret nga makina në anën e pasagjerit. Biznesmeni është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, aty ku agjentët e BKH-së mbërritën menjëherë për ekzekutimin e masës së arrestit me burg.
Agasi, sëbashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë janë nën hetim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë. Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Arrestimi i tj vjen vetëm një muaj pasi në Francë u kap biznesmeni tjetër, Ermal Beqiri, teksa po udhëtonte me avionin e tij privat mbi një central bërthamor.

Me urdhër të SPAK, Agasit iu sekuestruan në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.





Recent Comments