Mitrovicë e Veriut, 16 gusht 2026 – Policia e Kosovës ka arrestuar sot në veri të Mitrovicës Igor Markoviqin, nën dyshimin për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë përplasjeve në Zveçan.
Sipas burimeve të Radar Report, Markoviqi është ndaluar sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ndaj tij dyshohet se ka pasur rol në dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.
Radar Report mëson nga burimet e veta se Igor Markoviqi në të kaluarën ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës në Zveçan, përpara se të largohej nga institucioni.
Arrestimi i tij lidhet me hetimet për ngjarjet e dhunshme në Zveçan, ku gjatë përleshjeve të vitit 2023 u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe pati të plagosur nga radhët e forcave ndërkombëtare dhe protestuesve, raporton Radar Report.
Deri në publikimin e këtij lajmi, institucionet e drejtësisë dhe Policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje të plota publike për rastin dhe veprimet konkrete për të cilat dyshohet Markoviqi.

